Met Gala 2025 është zyrtarisht vetëm pak muaj larg! Lexoni në vijim gjithçka që duhet të dini për natën më të madhe në botën e modës: nga data, tema te kodi i veshjes së këtij viti.
Çfarë është Met Gala?
Met Gala është një event bamirësie dhe mbledhje fondesh për Institutin e Kostumeve të Muzeut Metropolitan të Artit në New York.
Kur do të zhvillohet Met Gala 2025?
Met Gala 2025 do të zhvillohet të hënën, më 5 maj.
Cila është tema e Met Gala 2025?
Në tetor, Muzeu Metropolitan i Artit njoftoi ekspozitën e pranverës “Superfine: Tailoring Style Black”. Duke u frymëzuar nga libri i Monica L. Miller i vitit 2009, “Slaves to Fashion: Black Dandyism and the Styling of Black Diasporic Identity”, ekspozita është organizuar në 12 seksione, ku secila përfaqëson një karakteristikë që përkufizon stilin dandy.
“Superfine” do të shfaqë veshje, piktura, fotografi etj., për dandy-t me ngjyrë nga shekulli i 18-të deri në ditët e sotme.
Shën.red. Black Dandyism është një stil që filloi në Europën e shekullit të 18-të dhe vazhdon edhe sot në qytete si Londra, New York-u dhe Parisi; është një stil i veçantë që përqendrohet në elegancën e veshjeve për meshkuj dhe përdor modën për të sfiduar normat racore dhe gjinore. Një dandy është një burrë që i kushton shumë rëndësi stilit, kujdesit personal dhe sofistikimit. Historikisht, dandy-t visheshin si aristokratë, edhe nëse nuk kishin lindur të pasur.
Kush do ta organizojë?
Në Met Gala, co-chairs janë persona të famshëm që ndihmojnë në organizimin dhe promovimin e eventit. Ata punojnë së bashku me kryeredaktoren e Vogue, Anna Wintour, e cila është kryetarja dhe organizatorja tradicionale e Met Gala. Për vitin 2025, emrat e përzgjedhur janë Colman Domingo, Lewis Hamilton, A$AP Rocky, Pharrell Williams dhe (sigurisht) Anna wintour.
Cili është kodi i veshjes?
Kodi i veshjes i Met Gala 2025 është “Tailored for You” (Qepur posaçërisht për ty), që lidhet me veshjet për meshkuj dhe kostumet që me siguri do të nxjerrin në pah krijimtarinë e pranishmëve të këtij viti.